Si e sheh Marselinon në këtë lojë?
E shoh mirë, edhe pse këtë javë është në nominim e duke e ditur që të gjithë janë kundra tij.
Dimë që Marselino ka konkurruar para disa vitesh në “Mister Albania”. Cila ishte arsyeja, është ambicia e tij televizioni?
Po, Marselino konkurroi në “Miss dhe Mister Albania” për faktin se i ka pëlqyer të jetë gjithmonë një njeri i famshëm në jetë, sidomos në fushën e aktrimit, që është ëndrra e tij e madhe.
Ka tentuar t’i hyjë botës së aktrimit, apo kjo ka mbetur thjesht dëshirë e tij?
Ka tentuar patjetër. Menjëherë pas garës në “Mister Albania”, Marselino u regjistrua pranë Akademisë së Arteve të Bukura. Por fatkeqësisht ai nuk e fitoi të drejtën e studimit.
Dhe si vazhdoi jeta e tij më pas, duke ditur që në atë kohë ai ka bërë martesë me celebrim në Itali?
Po, pasi mori përgjigjen nga Akademia e Arteve që nuk e fitoi degën e dëshiruar, i dëshpëruar Marselino mori rrugën e emigrimit për të realizuar ëndrrën e tij si model në Itali, edhe pse parapëlqente gjithmonë aktrimin. Gjatë sfilatave ku mori pjesë në pasarelat e Romës, dhe në vende të ndryshme u njoh me një modele italiane, emrin e së cilës nuk dua ta bëj publike për faktin se ajo tashmë është martuar me dikë tjetër dhe ka një djalë. Ajo i ofroi një zgjidhje vëllait tim, që të bënte martesë me të e të mund të pajisej me dokumente për ta pasur më të lehtë mundësinë për t’u shfaqur lirshëm në media, pra për t’u bërë i njohur dhe për të arritur kështu qëllimin e tij për famë.
Sa vjeç ishte modelja dhe përse ata e përjashtuan mundësinë e një martese të vërtetë?
Aktualisht modelja është 25 vjeçe, dhe Marselino nuk mundi dot të martohej vërtet me të, pasi preferenca e prindërve tanë nuk e lejonte një gjë të tillë.
Sa kohë zgjati kjo lidhje, dhe a pati ndjenjë mes tyre?
Ata qëndruan tre vjet bashkë, por asnjëherë nuk u dashuruan për arsyen se ajo jetonte me familjen e saj, ndërsa Marselino punonte dhe jetonte pranë një restoranti në Romë. Ndërkohë është në pritje të divorcit me vajzën italiane, pasi këto procedura zgjasin në Itali. Edhe pse ka bërë disa seanca, ky vendim e ka penguar të bëjë celebrimin me gruan aktuale, me të cilën ka dhe një djalë.
Po për njohjen me gruan aktuale çfarë di, kur janë njohur dhe si?
Janë njohur në Tiranë dhe u dashuruan shumë shpejt. Kanë tri vite bashkë dhe së bashku kemi jetuar në Bari.
Cilat janë preferencat për femrat, sa mundësi ka që ai ta tradhtojë partneren e tij me një nga vajzat në lojë?
Pamja e tij tregon të kundërtën e asaj që ai është. Të tjerët mendojnë për të se mund të jetë aventurier, por unë di të them që Marselino është shumë besnik me lidhjen e tij serioze të krijuar në jetë. Dhe kështu ai s’ka për ta tradhtuar kurrë partneren e tij, derisa kjo lidhje të ketë fundin e saj, qoftë edhe përjetësisht.
Po në jetë ka qenë tip aventurieri me femrat, apo i pëlqejnë lidhjet e gjata?
Si çdo adoleshent në kërkim të më të mirës për veten, në kuptimin e mirë të fjalës, por kurrë nuk ka qenë Don Zhuan.
Po histori me femra më të mëdha në moshë ka pasur, ty çfarë të ka treguar?
Ato i përkasin të fshehtës së atij vetë, nëse ai ka pasur lidhje apo jo me femra më të mëdha. Askush nuk e di.
Ka shumë për të treguar Marselino nga jeta e tij në këtë “reality”? Cila është jeta që ka bërë në Itali?
Ai na ka treguar që përgjatë moshës së adoleshencës, kur emigroi jashtë Shqipërisë, ai ka qenë duke sakrifikuar edhe jetën në disa raste. Por asnjëherë nuk na i ka treguar me detaje rreziqet dhe vështirësitë që ka kaluar, për faktin se nuk ka dashur që prindërit t’i dinin me saktësi. Por është mjaftuar vetëm me një fjali, duke pohuar se do ta rindërtojë jetën e tij në Shqipëri.
Disa nga banorët e kanë nominuar, pasi u duket mendjemadh dhe arrogant. Është kështu dhe jashtë?
Sa herë që nuk e kuptojnë, ai bëhet i tillë. Por në jetën e përditshme është shumë i matur dhe tepër i edukuar.
Menjëherë pas hyrjes së Marselinos në BB6, nga jashtë shtëpisë u tha se sekreti “Unë jam zhigolo” i përket pikërisht atij. Ti ç’mund të thuash?
Të jesh zhigolo konsiderohet punë, përderisa ofron seksin për para. E në qoftë se është një punë që sjell përfitim dhe mbijetesë, atëherë kush nuk do donte ta bënte një gjë të tillë, kur puna dhe seksi janë dy domosdoshmëritë kryesore që kanë lindur me njeriun?!
Pra, ky sekret është i vëllait tënd?
Të gjithë kanë bërë diçka në jetë në forma nga më të ndryshmet, ashtu siç ua ka diktuar jeta. Por fati i ndan disa gjëra, disa të jenë më të privilegjuar në jetë. Besoj që këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur, sepse profesioni “zhigolo” nuk ka lindur sot, por është më i hershmi i njerëzimit. Çdo burrë është “zhigolo” për gruan e tij.
Mund ta pohosh? Është ai djali zhigolo dhe pse u përfol pikërisht ai?
Kush e paska thënë një gjë të tillë me kaq kompetenca?!
Unë nuk kuptoj një gjë. E vërtetë është ajo që deklarohet nga vetë dhe jo ajo që shkruhet, sepse te faqet e facebook-ut të banorëve dikush prej tyre paska deklaruar brenda në shtëpi nga euforia një gjë të tillë, pra që zhigoloja është Iliri jo Marselino.
Po nëse do të ishte vëllai yt, si do e priste gruaja, po ju si familje?
Nuk jemi të bindur, kështu që për momentin s’kemi si ta pranojmë.
Sekreti tjetër që përflitet që mund të jetë i Marselinos, është ”Nuk flas me babanë prej 13 muajsh”. Është e vërtetë?
Përkundrazi, e ka pikën e tij më të dobët babain. Ne kemi 4 vjet që jetojmë bashkë në një familje. Disa ditë më parë ai ka folur shumë për babain, i cili para ca kohësh ishte shtruar në spital.