Marselini, Anaidi, Elena dhe Blendi shkojnë afër pishinës dhe fillojnë të tregojnë histori nga jeta e tyre. Marselini tregon për familjen e tij dhe veten. Ai thotë se jeton me prindërit dhe vëllanë e tij 9 vjet më të vogël se vetja, në Itali. Banorët e tjerë e pyesin se përse nuk ka arritur ta marrë bashkëshorten dhe djalin atje, por Marselini tregon se ka bërë një martesë me një italiane, por vetëm për efekt dokumentesh, në moshën 18-vjeçare. Ai tregon se procedurat e divorcit atje janë shumë të gjata dhe kjo gjë e ka penguar atë që të bëjë martesën me vajzën që do dhe që ka edhe një fëmije. “Gjëja më e bukur e martesës sime do të jetë çuni”, shprehet Marselini. Ai hamendëson për dasmën e tij dhe e mendon si një gjë shumë të bukur pjesëmarrjen e djalit të tij në ceremoni. Jonilda, e cila shkon pas disa minutash atje dhe dëgjon bisedën thotë se e ka ëndërr që të martohet pasi të ketë lindur një fëmijë. Marselini tregon se gjëja më e rëndësishme për të është familja dhe nuk do të guxonte kurrë ta tradhtonte të ëmën e fëmijës së tij, ashtu siç pretendon që as ajo të mos e tradhtojë. Ai mendon se një martesë e pjekur mund të bëhet vetëm në një moshë të pjekur. Elena e ngacmon duke i thënë se i duket i ri për të qenë baba, por Marselini thotë se baba mund të bëhesh në çfarëdo lloj moshe. “Mosha nuk tregon madhështinë e njeriut”, thotë Marselini. Kështu, fillon një diskutim mes tyre për sa i përket pjekurisë në faza të ndryshme të jetës së njeriut. Bisedat mes banorëve vazhdojnë për minuta të tëra, duke folur për emigrimin dhe vështirësitë e tij në jetën e tyre. Më vonë të gjithë banorët grumbullohen rreth pishinës e fillojnë të bisedojnë me njëri-tjetrin për histori nga fëmijëria e tyre, duke bërë shaka e duke qeshur së bashku.