Cila ka qenë arsyeja që Shpendi nuk flet me babain tuaj? Për çfarë janë zënë?
Për arsye pune. Shkaku i zënkës kanë qenë çështjet e biznesit. Me sa di unë, janë zënë për disa punëtorë.
Kush e ka mbajtur inatin, që kanë kaluar 1 vit pa folur?
Të dy nuk kanë marrë iniciativën për t’u sqaruar. Mirëpo Shpendi, duke qenë tip shumë i ndjeshëm, e mban gjatë inatin dhe është kokëfortë. Nuk është se ata nuk komunikonin fare me njëri-tjetrin. Flisnin zyrtarisht ose për çështje pune, por nuk janë ulur më që të bisedojnë nga afër dhe të sqarohen.
Babai juaj i dërgoi një letër... Ka në plan ndonjë surprizë tjetër për t’u pajtuar nga afër?
Letra ka qenë reale. Babai i ka shkruar vërtet dhe me dëshirën e tij ato fjalë. Mendoj se kjo do të jetë e vetmja surprizë që ai do t’i bëjë Shpendit deri në fund të lojës, sepse nuk do që të përzihet më me mediat. Pastaj babi nuk e konsideron shumë të madhe këtë situatë. Edhe pse kanë pasur një konflikt, ata janë një familje dhe e duan shumë njëri-tjetrin. Është diçka kalimtare që nuk ka rëndësi aq të madhe.
A e ndjek ai të birin? Ishte dakord me vendimin e tij për t’u futur në “Big Brother”?
Të gjithë e ndjekim 24 orë. Babi ishte dakord që Shpendi të futej në “Big Brother”. Duke e ditur që kjo ishte një dëshirë e madhe e tij, ai nuk kundërshtoi në asnjë moment por e mbështeti dhe do të vazhdojë ta mbështesë deri në fund.
Po me vajzën e Shpendit, keni kontakte?
Po sigurisht! E takojmë shpesh dhe e marrim në shtëpinë tonë për të kaluar kohë me të. Akoma nuk e mbajmë për të fjetur, sepse është shumë e vogël dhe natën nuk e zë gjumi pa të ëmën, por gjatë ditës rrimë goxha me të. E duam shumë.
Me nënën e vajzës, pra me ish-gruan e Shpendit, çfarë marrëdhënieje keni?
Nuk kemi asnjë lloj kontakti me të dhe nuk duam të prononcohemi lidhur me këtë histori. Është diçka që i përket së shkuarës dhe neve si familje nuk na takon fare të flasim.
Cila ka qenë arsyeja e ndarjes së çiftit?
Mosmarrëveshjet midis njëri-tjetrit. Kishin keqkuptime, siç kanë edhe shumë çifte të tjera, dhe për këtë arsye u divorcuan. Nuk mund të them detaje të tjera. Nëse vetë Shpendi do të ketë dëshirë, do të flasë për këtë histori kur të dalë nga “Big Brother”.
Ka lënë Shpendi një lidhje dashurie jashtë shtëpisë?
Jo. Ai u fut beqar në shtëpinë e “Big Brother”, përndryshe do ta thoshte. Është djalë shumë i çiltër. Mendoj se së shpejti do ta shohim në një lidhje, sepse Shpendi është pika e dobët e femrave, i ëmbël, i dashur, i sinqertë... Por edhe femrat janë pika e tij e dobët (qesh).
Brenda shtëpisë ai është afruar me Jonildën, dhe më vonë me Eldorën. Duke e njohur, mendon se mund të lidhet me ndonjërën prej të dyjave?
Nuk besoj. Asnjëra prej të dyjave nuk më duken tipi i femrës që mund t’i pëlqejë Shpendit.
Cila prej femrave të shtëpisë mund të jetë në shijet e tij?
Elena i plotëson të gjitha kushtet. Ndoshta mund t’i pëlqejë edhe Eldora, nuk i dihet... Por për Jonildën nuk ma merr mendja.
I ati, letër pajtimi Shpendit
Sekreti që Shpendi u fshihte banorëve të tjerë të shtëpisë u zbulua shpejt. Pasi produksioni u dha mundësinë konkurrentëve të shihnin pamje filmike që tregonin fëmijë që nuk flisnin me prindërit, të gjithë banorët, dhe sidomos Shpendi, u prekën dhe shpërthyen në lot. Këtë e pikasi Iliri, i cili me bindje tha se kishte arritur të zbulonte sekretin e Shpendit, që prej kohësh nuk fliste me të atin. Po ashtu, gjatë spektaklit, produksioni lexoi një letër pajtimi që babai i Shpendit i kishte dërguar të birit. Në të ai shkruante se e ndiqte dhe se do ta mbështeste deri në fund dëshirën e tij të madhe, lojën në “Big Brother”. Po ashtu, ai sqaronte se gjatë puntatës së parë kishte qenë në studio për ta mbështetur, por Shpendi nuk e dinte.