Flet miku i Shpendit, Zgjimi: Jam njeriu i vetëm që besoj se Shpendi do të ribashkohet me ish-gruan”
Shpendi është njëri nga banorët, që ka ardhur nga Prishtina për tu bërë pjesë e lojës në spektaklin e “Big Brother”, duke sfiduar veten në mesin e shumë konkurrentëve. 30-vjeçari me profesion biznesmen, si dhe menaxher i dy bizneseve dhe kompanive të mëdha ushqimore në Kosovë, është i divorcuar, ndërsa nga martesa e parë ka një vajzë me emrin Liza. Për të mësuar më shumë rreth Shpendit, ne kemi realizuar një bisedë me mikun e tij, Zgjim Sojeva, i cili e përshkruan më së miri shokun, të cilin e njeh prej 14 vitesh. “Ne njihemi prej shkollës së mesme, kemi qenë në një brez në shkollë të Mjekësisë. Më pas kemi ndenjur bashkë tërë kohën, jemi shoqëri shumë e madhe, po unë me Shpendin jemi pak më ndryshe. Kjo për faktin se grindemi shpesh dhe ka raste kur nuk flasim nga 3-4 ditë. Por, thjesht nuk mundemi pa njëri-tjetrin. Është shumë tip impulsiv, aktiv dhe i pëlqejnë sfidat, është njeri që nuk dorëzohet kurrë, i bën gjërat që të dallohet nga pjesa tjetër e shoqërisë. Është marrë me muzikë, ka kënduar dhe ka qenë pjesë e një grupi muzikor, femrat i ka pikë të dobët dhe është njeri që gjithmonë merr iniciativat. Ka dëshirë të rrezikojë dhe është shumë i shoqërueshëm. Shumë shpejt krijon miqësi dhe si person është shumë i ndjeshëm. Shpendi është njeriu që t’i thotë gjërat në sy”, thekson mbi njohjen e tyre Zgjimi. Shpendi ka qenë i martuar dhe ka një vajzë, ndërsa sipas burimeve tona edhe pse ai dhe bashkëshortja janë dashur shumë, nuk tregohen arsyet se pse kanë përfunduar me divorc. ”Ka qenë i martuar dhe nga ajo martesë ka një vajzë me emrin Liza. Ajo për Shpendin është gjëja më e rëndësishme e jetës, dhurata më e mirë e jetës së tij. Por, unë jam akoma prej atyre njerëzve që besoj se Shpendi dhe bashkëshortja e tij kanë me qenë bashkë përsëri, për detaje të tjera nuk do doja të flisja, sepse ai nuk ka shumë qejf me hy në detaje”, shton më tej ai. “Shpendi është një biznesmen shumë i suksesshëm, menaxher i mirë i dy kompanive të mëdha në Kosovë, si dhe një njeri shumë human. Nuk e di sa keni dëgjuar për rastin e Naronit, një fëmijë që ka pasur probleme me mëlçinë dhe i është dashur një transplant përmes një operacioni. Unë dhe Shpendi kemi qenë koordinatorë të iniciativës dhe për gjashtë ditë kemi arritur të sigurojmë mbi 150 mijë euro të nevojshme për operim”, thotë në fund Zgjimi.