‘’Pjesëmarrës Shkëndije Mujaj dhe Zhaku, Enver Petrovci, Ronela Hajati, Adelina Tahiri etj”
Po afron edicioni i tretë i spektaklit ‘’Vip shpija’’. Këtë radhë edhe shikuesit shqiptarë do të kenë mundësi ta ndjekin atë përmes ekranit të platformës Digitalb, ndërsa prezantuese e këtij edicioni do të jetë bukuroshja Jonida Vokshi, vajza e cila njihet edhe si imazh i kësaj platforme. Për të mësuar më shumë rreth këtij spektakli, ne biseduam me organizatorin dhe producentin e ‘’Vip shpija’’ Fisnik Vejsa, i cili zbulon disa nga personazhet që do jenë prezent në këtë spektakël…
Së shpejti pritet të fillojë dhe edicioni i tretë i spektaklit “VIP Shpija”, nga inspiroheni të lançoni një spektakël të tillë?
Që në fillim përshëndes gazetën “Panorama” dhe e falënderoj që gjithmonë ka gjetur hapësirë për projektet tona. Jemi në përgatitjet finale për fillimin e edicionit të tretë, shtëpia është në përfundim e sipër, ku enterieri do të jetë i veçantë në këtë edicion. Produksioni ynë përbëhet prej disa reality show, prandaj zhvillojmë projekte të tilla. I pari ka qenë Shpija e Kosovës me banorë të thjeshtë, por pak para se të mbarojë edicioni i parë na erdhi ideja që të realizojmë një show me fytyra publike dhe në shkurt të vitit 2010 vendosëm që brenda shtëpisë t’u jepet rasti të hyjnë dhe fytyrave publike.
Këtë radhë keni mësyrë edhe tregun medial në Shqipëri, mendoni se personazhet që do shfaqen do të bëhen të famshëm edhe këtu?
Sa u përket personazheve, ata janë të famshëm, por vetëm do të tregojnë mënyrën e jetesës së tyre në kushte normale.
Sa do të kushtojë gjithë ky projekt, dhe sa të kënaqur keni qenë nga dy edicionet e kaluara?
Sa kushton? Këtë as prindërve të mi nuk ua kam treguar (qesh). Sa u përket edicioneve të kaluara secili ka pasur efektet e veta, duke u nisur nga i pari me banorë si Stupcat, Rozana Radi, Big Mama, Bertani etj., ku mbizotëroi humori dhe duke vazhduar me edicionin e dytë, ku fitues doli Ardit Stafa, një personazh kontravers. Sa i përket këtij edicioni, personazhet janë shumë interesante, pasi shumica kanë karaktere të ndryshme.
A është e vështirë që të mblidhen ne një vend personazhet e njohura?
Shumë e vështirë, por kësaj radhe ka qenë më e lehtë, pasi si partner medial kemi Digitalbin dhe pjesëmarrësit nuk kanë hezituar që të pranojnë ofertën.
Në bazë të cilit karakter përzgjidhen?
Kur bëhet lista, e para gjë që mendohet është karakteri energjik, kjo është primare, pastaj vijnë përshtatshmëria e pjesëmarrësve mes tyre.
Mund të zbulojmë ndonjë emër konkurrent?
Mund të them vetëm se do të jenë nga fusha të ndryshme të jetës publike, mund të cek vetëm që banorë do të jetë një aktor i mirënjohur ndërkombëtarisht që është 60 vjeç, deri te këngëtarja 20 vjeçe. Disa prej tyre janë Shkëndije Mujaj dhe Zhaku, Enver Petrovci, Ronela Hajati, Adelina Tahiri etj.