Jam talasemik, nuk është ndonjë sekret i bukur, ndaj për lojtarin që ka marrë përsipër ta zbulojë këtë sëmundje publikisht, vërtet ka marrë përsipër një risk që edhe e vuan. Ndoshta ky sekret mund të jetë një kartë e fuqishme për t’i fituar ato para dhe për të bërë ndërhyrjen mjekësore për shërimin e kësaj sëmundjeje trashëguese. Nga hamendësimet e deritanishme thuhet se banorja që e ruan këtë sekret është 27-vjeçarja Eldora Koçi, studente në degën e Infermierisë. Nuk mund të jemi 100 për qind të sigurt, por nisur nga rrëfimet e fqinjëve të saj, të cilët pohojnë se një infermiere hynte në shtëpinë e saj për t’i bërë transfuzion gjaku çdo dy javë, jemi përpjekur të zbulojmë sadopak rreth kësaj të vërtete. Për shkak të tipit të saj të qetë në ekran, nuk është bërë e mundur të zbulohet më shumë nga karakteri i saj i tërhequr, ndaj pranon të tregojë disa të vërteta për gazetën “Panorama”, shoqja e saj më e afërt e shkollës, Ornela Cecolli.
Si njihesh me Eldorën, jeni vërtet mikesha aq të afërta sa për t’i besuar njëra-tjetrës sekrete?
Po, ndonëse unë jam 7 vjet më e vogël, jam shoqja më e ngushtë e Eldorës. Kemi dy vite që njihemi, pasi ndjekim të dyja studimet në degën e Infermierisë në një universitet privat. Para hyrjes së saj në “Big Brother 6” shpenzonim bashkë gjysmën e ditës në shkollë dhe më pas Dori shkonte në punë. Di të them që është një studente mjaft e mirë, lexon shumë dhe është e përgatitur.
Cila ka qenë jeta e saj para hyrjes në lojë, çfarë tipi është Eldora në përditshmërinë e saj?
Mund të them që është tipi i vajzës që shohim brenda shtëpisë së “BB”. Është e dashur, e qeshur, ka karakter shumë të fortë dhe për më tepër nuk ka qejf të bëjë jetë monotone. Ajo është gjithmonë në lëvizje, në shkollë, punë, kafe dhe fundjavave gjithmonë jemi të organizuara nëpër party.
Si mikja e saj më e afërt, çfarë sekretesh mund të na zbulosh?
Të gjithë kanë sekretet e tyre, edhe Dori po ashtu. Por s’di ç’të them, se s’ka ndonjë sekret specifik përveç atij që ka në “Big Brother”.
Atëherë në lidhje me një nga sekretet më të dhimbshme të kësaj loje, pasi ka të bëjë me shëndetin e njërit prej banorëve: “Unë jam talasemik”, ç’mund të thuash? Është aluduar deri tani për Eldorën…
Kur të zbulohet ky sekret, do të merret vesh nëse Eldora fsheh pikërisht këtë sekret apo ndonjë tjetër.
Por për gazetën “Panorama” kanë dëshmuar komshinj të saj, që janë dhe fansa të “Big Brother”, duke treguar se një infermiere shkon çdo dy javë në shtëpinë e saj për transfuzion gjaku. Sa e vërtetë është?
Ku e gjejnë komshinjtë të drejtën të flasin për sekretin e Dorit? Unë them të bëjmë pak durim derisa të zbulohet vërtet.
Gjithsesi, mendon se ky aludim e ndihmon Eldorën për të marrë më shumë vota nga publiku, pasi dihet që ekziston një lloj sensibilizimi në këto raste…
Sekreti mund të jetë, por sërish s’e ndihmon një njeri të sëmurë. S’besoj që ka të bëjë lloji i sekretit me suksesin e saj në lojë. Ai që e do brenda dhe jashtë shtëpisë e do, s’ka rëndësi çfarë sekreti fsheh, besoj unë. Mund të them se Eldora është tip që u shkon në fund të gjitha nismave që merr mbi supe. Ajo s’ka nevojë për përkrahje dhe, në këtë rast, do ia dalë e vetme që ta fitojë lojën.
Nëse Eldora supozojmë se është talasemikja, me tipin që ka do pranonte ta shprehte publikisht këtë të vërtetë të jetës së saj?
Po, me tipin që ka, do e deklaronte. Gjithsesi, kur të zbulohet sekreti, do e shohim nëse do e përkrahë publiku apo jo, meqë disa janë të sigurtë se Eldora është talasemikja.
Po për familjen e saj ç’mund të na zbulosh, si është gjendja e tyre ekonomike?
Ajo jeton me nënën, motrën dhe dy vëllezërit. Ndërsa babai nuk jeton, pasi ka humbur jetën aksidentalisht mbi 10 vite më parë. Di që nëna e saj është shtëpiake, ndërsa njeri nga vëllezërit punon në një klub nate. Ndërsa vetë punon prej 5 vjetësh në një agjenci udhëtimesh.
Kthehemi te “BB”, si të duket pozicionimi i saj në këtë lojë, dhe më cilën nga vajzat mund ta vazhdojë miqësinë?
Si fillim ajo po vëzhgon secilin konkurrent më vete. Është tip i shoqërueshëm me të gjithë, por me Elonën dhe Joanën më duket më e afruar.
Po në miqësinë me djemtë si e sheh, sa gjasa ka që me ndonjërin prej tyre të mund të krijojë intimitet?
Për meshkujt s’di ç’të them, nuk më duket asnjë prej tyre në tipin e saj. Dorit i pëlqen që djemtë të jenë të shkathët, të zgjuar dhe tejet simpatikë.
Pak më sipër the se ajo synon fitoren e “BB”, po sa afër fitores e sheh?
Kam shumë dëshirë ta fitojë “BB”, sepse e meriton për tipin që ka. Por nëse del nga vetvetja Dori, duhet të bëjë lojë pak të “pisët” aty brenda, kështu që dhe mund t’ia dalë.
Cilët janë pretendentët kryesorë për të fituar këtë lojë?
Pretendenët kryesorë janë Anaidi, Iliri, Joana dhe Dori.
Atëherë përse ka hyrë Eldora në “BB6”, për famën apo për paratë?
Mendoj që donte të provonte diçka të re në jetë, që mund t’i ndryshojë jetën, për mirë kuptohet. Jo vetëm Eldora, por kushdo që ka hyrë aty normalisht ka hyrë për paratë. Për Eldorën mendoj që ka hyrë pikërisht për paratë, s’e besoj për famën.
Dhe për çfarë mund t’i shpenzojë ajo ato para, nëse supozojmë se e fiton lojën?
Nuk di ç’të them me saktësi, por ndoshta do ndihmonte familjen për një jetë më të mirë.
Disa të fshehta për Eldorën: 27 vjeçe, ende pa të dashur
Kufizohet ajo për diçka në jetën e saj?
Jo, ajo bën një jetë krejtësisht normale.
Ka jetuar ajo ndonjë lidhje të gjatë jashtë shtëpisë, si e ka përjetuar ndarjen?
Po, di që ka pasur një lidhje të gjatë. Sa për përjetimin, ajo është shumë tip i fortë. Edhe në qoftë se ka vuajtur, nuk e tregon.
Ka një lidhje serioze apo një të dashur që e ka lënë jashtë shtëpisë?
Jo, nuk ka të dashur jashtë shtëpisë.
Është 27 vjeç, e ëndërron martesën?
Patjetër, është ëndrra e çdo femre.
Hobi i saj në jetë?
Ka hobi muzikën, të kërcejë dhe të argëtohet.
Cila është ambicia e saj për karrierë?
Ajo ka ambicie që të arrijë një post të lartë në jetën e saj, të ketë më shumë se një fakultet, të bëhet një mjeke e mirë.
Cili lojtar i “BB”-ve i pëlqen asaj?
Mund të përmend Liamin, meqenëse kemi dhe foto bashkë, kur luante si DJ tek “Baroque” vjet. Shkuam ta ndiqnim, sepse e kishim qejf të dyja.
Intriga është pjesë e natyrës së saj?
Jo. Të paktën me sa kam parë unë, edhe në lojë nuk ka bërë ndonjë intrigë.
Mund t’i pranojë ajo skandalet në “BB”?
Jo, absolutisht, nuk është tipi i skandaleve.
Çfarë do dojë t’i këshilloje si shoqe, nëse do mundësohej një takim?
Duhet të shtiret pak, pra të bëj pak show. Sepse ajo në “BB” shfaqet po i njëjti tip që është jashtë. Por kjo si lojë të kërkon domosdoshmërisht të jesh aktive në shumë aspekte. Dhe për më tepër nuk duhet të jetë aq e drejtë me të gjithë.